Problematikat e ndryshme me të cilat ndeshen zonjat kryefamiljare për t’u përfshirë në skemat e strehimit social që ofron Bashkia e Tiranës, target-grup i projektit që zbatoi për 11 muaj Qendra Illuminatos (“Qendra për Studim & Trainim ILLUMINATOS”), me financim të Lëviz Albania; janë në thelb motori i nismave madhore ligjore të ndërmarra nga pushteti qendror dhe që së shpejti do të votohen në Parlament.
Përpjekjet tona si edhe të aktorëve të tjerë të shoqërisë civile për t’u ardhur në ndihmë kontingjentit të familjeve monoparentale me gruan kryefamiljare, janë materializuar më së miri në projekt-ligjin e ri të Strehimit social.
Në dëgjesat dhe konsultimet që janë organizuar në Parlamentin e Shqipërisë me shoqërinë civile, konstatojmë me kënaqësi që propozimet tona konkrete jo vetëm që janë shënuar në aktet, por janë përfshirë edhe në nenet e projekt-ligjit: – Shërbimi i social i shtrehimit për këtë kontigjent familjesh në nevojë do të jetë në formën e një pakete. Pra, veç strehimit, atyre do t’u mbulohen shpenzimet për kujdes shëndetësor, arsim të fëmijëve, si edhe më e rëndësishmja, do të trajnohen për t’u integruar në tregun e punës pjesëtarët e këtyre famijeve që janë (a) në moshë për punë dhe (b) të aftë për punë.
Në këto 11 muaj, ne kemi lobuar dhe jemi të lumtur që përpjekjet tona janë materializuar konkretisht në projekt-ligjin e ri, sepse përparësi në përzgjedhjen e aplikantëve për strehim social do të kenë familjet me kushte sociale të rënduara, konkretisht: […] familjet me një prind që kanë në ngarkim fëmijë; familjet me më shumë se katër fëmijë; jetimët; viktimat e dhunës në familje, trafikimit; vajzat nëna.