Aktiviteti përmbyllës për SHËRBIMIN SOCIAL TË STREHIMIT të familjeve të pastreha me kryefamiljare gruan

Në 28 shkurt 2018, “Qendra për Studim dhe Trainim ILLUMINATOS”, organizoi aktivitetin përmbyllës për SHËRBIMIN SOCIAL TË STREHIMIT të familjeve të pastreha me kryefamiljare gruan në 11 NJA-të e Bashkisë së Tiranës, në kuadër të projektit të financiar nga Lëviz Albania“Diversiteti i shërbimeve Sociale dhe Publike në disa Njësi Administrative të Bashkisë Tiranë në konteksin e ndarjes së re adminitrative-territoriale”.
Në këtë aktivitet ishin të pranishme disa nga zonjat kryefamiljare, të cilat falë asistencës tonë juridike, kanë përfituar nga programet e strehimit social në Bashkinë e Tiranës apo që sapo kanë nisur procesin e aplikimit; e që kanë patur dhe kanë në këto dhjetë muaj asistencën tonë legale; edhe disa nga zonjat që ndonëse nuk i përmbushin dot kriteret ligjore për të gëzuar strehim social, shpresojnë që të gjenden rrugë apo forma të tjera për t’u përfshirë në një të ardhme jo të largët; përfaqësues të pushtetit vendor, nga Bashkia e Tiranës dhe nga NJA-të e qytetit të Tiranës; përfaqësues të Lëviz Albania; ekspertë dhe trajnues, pjesë e ekipit me të cilët kemi punuar me përkushtim për thuajse një vit.

Puna e ekspertëve tanë kaloi nëpër disa faza: dëgjesat dhe konstatimet, trajnimet, monitorimet dhe vlerësimet për cilësinë e ofrimit të shërbimit nga zyrat e strehimit në NJA-të 1-11 dhe nga Bashkia e Tiranës, vlerësimi i ndikimit në jetën sociale në rastet e përvojave të suksesshme kur gra kryefamiljare kanë arritur të përfshihen në skemat sociale të strehimit; dhe vlerësimi i ndikimit në jetën sociale në rastet e përvojave të dështuara, për arsye nga më të ndryshme.
Gjatë këtyre dhjetë muajve, ekspertët tanë kanë kontaktuar, kanë intervistuar, kanë advokuar me qindra gra kryefamiljare që e kanë domosdoshmëri jetike pasjen e një strehe dinjitoze për familjet e tyre.
Kemi kontaktuar gjithashtu me drejtues dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe 11 NJA-ve të saj, të cilët na kanë ndihmuar me të dhëna statistikore për të ndërtuar një kuadër më të saktë të situatës reale të kërkesë/ofertës për strehim nga ana e kësaj kategori-familjeje në nevojë.
Një nga vështirësitë konkrete me të cilat jemi ndeshur gjatë implementimit të këtij projekti lidhen kryesisht me procesin e identifikimit të numrit real të grave kryefamiljare pa strehë të cilat shohin si rrugë të vetme përfshirjen në skemat e strehimit social që ofron pushteti vendor.

Strehimi social i familjeve njëprindërore me kryefamiljare gruan është realisht një plagë e shoqërisë sonë.
Kur ideuam këtë projekt, ishim të bindur, si ekip, që problematika kishte substancë dhe me ndërhyrjen tonë do të kontribuonim sadopak në rezultate pozitive për këtë kontigjent familjesh në nevojë.
Kur filluam zbatimin e këtij Projekti, Ligji ekzistues, nr. 9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar, ishte dhe është fakt që nuk i përgjigjej të gjitha kërkesave të familjeve në nevojë. Ndër vite, si rezultat i ndryshimeve, ky ligj ishte prekur në masën 80 % të tij. Zhvillimet dinamike urbane dhe problematikat gjithnjë e më të mprehta sociale sollën domosdoshmërinë e një ligji të ri.
Lëvizjet e mëdha demografike drejt Tiranës dhe niveli i ulët ekonomik kanë penalizuar konkretisht shumë familje të cilat, edhe pse kanë qenë në kushte emergjente, nuk kanë përfituar dot nga programet e strehimit.
Por IDENTIKITI i familjeve monoparentale me kryefamiljare gruan nuk fillon e mbaron vetëm me familjet e ardhura nga zona të ndryshme të vendit; ka edhe familje autoktone të rëna në varfëri ekstreme. Varfëria, kudo, lidhet ngushtë me përjashtimin social. Këto familje, me gra kryefamiljare në më të shumtën e rasteve të papuna, varfërohen deri në atë shkallë sa që u kufizohet edhe qasja në burime dhe mundësi, duke ua kufizuar pjesëmarrjen në jetën shoqërore dhe kulturore, gjë që i bën ata të ndjehen të margjinalizuar, të pafuqishëm dhe të diskriminuar.
Me burim dhe mundësi, kemi parasysh edhe pamundësinë e tyre për të plotësuar kriteret për t’u përfshirë në skemat e strehimit social.

Si për të vërtetuar, imperativitetin e problematikës që ne kishim përzgjedhur për të trajtuar në Projektin tonë, vetëm këto 10 muaj, kanë ndodhur ndryshime bazike në nismat ligjore dhe aksione konkrete për ndryshimin e Ligjit për strehimin civil, dhe përfshirjes gjithnjë e më shumë në këto përfitime të familjeve të margjinalizuara, siç janë ato me kryfamiljare gruan, target-grup i këtij projekti.

#LëvizAlbania

Newsletter Updates

Enter your email address below to subscribe to our newsletter

Leave a Reply