Qendra për Studim & Trainim “ILLUMINATOS”, mbështetur financiarisht nga Lëviz Albania po implementon Projektin “Diversiteti i Shërbimeve Sociale dhe Publike në disa NJA të Bashkisë së Tiranës në kontekstin e ndarjes së re administrative-territoriale”; projekt i konceptuar të trajtojë dhe të studiojë dy lloje shërbimesh që lidhen me dy target-grupe të interesuarish; krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri: Shërbimi publik i kullimit dhe ujitjes në 2 NJA të saj, dikur Komuna, NJA Pezë dhe NJA Ndroq si edhe Shërbimi social i strehimit të familjeve me kryefamiljare gruan, në 11 NJA-të e qytetit. Përfshirja e kësaj game shërbimesh në një Projekt të vetëm ka patur si qëllim verifikimin në praktikë dhe ardhjen me një Produkt të vetëm, si kontribut i punës së bërë nga grupi që po e implementon projektin: SA I MERR QYTETARI KËTO SHËRBIME TANI, NË KONTEKSTIN E NDARJES SË RE TERRITORIALE?! Kur dihet nga të gjithë që Bashkia e Tiranës është Bashkia më e madhe në Republikë, dhe kur një numër i madh ish-komunash tashmë janë pjesë e saj.
Për dhjetë muaj, ekspertët tanë kanë evidentuar problematikat që lidhen me strehimin e familjeve me kryefamiljare gruan në 11 NJA-të e Bashkisë Tiranë; kanë studiuar në terren raste nga më të ndryshmet; janë konsultuar dhe kanë advokuar zonja kryefamiljare për t’u përfshirë në skemat e Bashkisë së Tiranës për strehim social dhe për bonus kredie. Me dhjetra zonja kryefamiljare janë intervistuar dhe kanë ndarë me ne përvojat e tyre personale ndërsa përfaqësues të pushtetit vendor na kanë përcjellë problematikat konkrete me të cilat ndeshen përditë në ofrimin e këtyre shërbimeve këto tre vitet fundit kur po implementohet reforma e re territoriale dhe administrative. Nga rastet e evidentuara në terren, rezulton se strehimi me kredi të buta apo bonuset e qirasë nuk janë domosdoshmërisht zgjidhje përfundimtare e problemit për këtë kategori familjesh në nevojë.
Gjetjet dhe konstatimet e punës së ekspertëve si edhe propozimet e tyre për rrugë e forma të tjera ndihme për këtë kategori familjeje në nevojë do të prezantohen në aktivitetin e radhës të projektit dhe do të bëhen publike.