Në kuadër të Projektit “Diversiteti i Shërbimeve Sociale dhe Publike në disa NJA të Bashkisë së Tiranës në kontekstin e ndarjes së re administrative-territoriale”; financuar nga Lëviz Albania, Qendra për Studim & Trajnim “ILLUMINATOS” ( Qendra Illuminatos ) organizoi më 27 Mars 2018 në fshatin Pinet, Ndroq, aktivitetin përmbyllës ku u prezantua Raporti përfundimtar i monitorimit të cilësisë së Shërbimit publik të Ujitjes dhe Kullimit të ofruar nga Bashkia Tiranë në NJA-në Pezë dhe NJA-në Ndroq. Një nga objektivat parësore të këti projekti ishte konstatimi në terren i gjendjes reale në të cilën ndodhet sistemi i ujitjes dhe kullimit në Njësinë Administrative Ndroq dhe në Njësinë Administrative Pezë, të Bashkisë së Tiranës; Problematikat dhe Sfidat me të cilat përballen banorët e këtyre njësive administrative si edhe nivelin e ndërhyrjes së pushtetit vendor për të përmirësuar situatën. Pas 11 muajve të ndërhyrjes tonë, mund të themi me keqardhje se sistemi i ujitjes dhe kullimit është pothuajse i gjithi jashtë funksionit në të gjithë territorin e dy njësive administrative Ndroq dhe Pezë, me përjashtim të disa fshatrave apo zonave.
Ujitja dhe kullimi, një ndër 6 funksionet e reja që iu transferuan bashkive në vitin 2016, me Ligjin nr. 139/2015, “Për Vetëqeverisjen Vendore” u financua nëpërmjet transfertës specifike edhe në buxhetin e vitit 2018 të Bashkisë së Tiranës me 20,429.976 lekë, thuajse në të njëjtat nivele (19,037.000 lekë) me buxhetin e 2017-ës, kur ne filluam implementimin e këtij projekti. Sipas informacioneve që kemi marrë në Drejtorinë e Përgjithëshme Nr.2 të Punëtorëve të Qytetit, kjo shifër është përdorur për mirëmbajtjen e sistemit ujitës dhe kullues në të gjithë NJA- të rurale të Bashkisë. Por nuk ka patur asnjë ndërhyrje në dy NJA-të Pezë dhe Ndroq, që janë monitoruar prej nesh në këto 11 muaj. A ka parashikime dhe projekte për të ndërhyrë në rrjetin dhe sistemin e ujitjes dhe kullimit në NJA Pezë apo NJA Ndroq? – Jo. Asnjë projekt serioz. Me ndryshimet administrative territoriale, NJA Ndroq dhe NJA Pezë tashmë janë pjesë e Bashkisë së Tiranës. Por nëse në plan afatgjatë edhe mund të merren me mend perpsektivat pozitive në zgjidhjen e problematikave që lidhen me ofrimin e këtij shërbimi jetik për fshatin, sot për sot mungesa e kuadrit ligjor dhe kryesisht mungesa e investimeve konkrete e bëjnë krejt të pamundur zgjidhjen e tyre. Të pranishmit në aktivitetin tonë, fermerët përfitues, kryepleq të fshatrave, përfaqësues të pushtetit vendor, përgjegjësit e këtyre shërbimeve dhe administratorët e NJA-ve Ndroq dhe Pezë, paraqitën edhe njëherë hallet me të cilat ata ndeshen përditë si edhe pretendimet e tyre ndaj pushtetit vendor, konkretisht strukturave përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës: Mungesa e akteve ligjore dhe nënligjore për ecurinë e proçesit; Mosorganizimi i shoqatave të ujit (sot: Organizatat e përdoruesve të Ujit/ OPU) ose thënë ndryshe dështimi i plotë i tyre në menaxhimin e këtij proçesi – ato nuk kanë funksionuar për afro 20 vite; Decentralizimi i kompetencave që duhet të vazhdojë deri në fund, dmth nga Bashkia e madhe te Njësitë vendore (NJA) që ky shërbim të jetë sa më afër përfituesve pasi me organizimin e ri të Bashkive ky shërbim është bërë akoma më i vështirë dhe i pamundur për fermerët. Ekspertët tanë sugjerojnë për të gjithë aktorët që kanë fuqi vendimmarrëse dhe e kanë detyrë organike zgjidhjen e problematikave të natyrave të ndryshme, pushtetit vendor dhe Bashkisë së Tiranës, se GARANCI për SUKSES në ofrimin e këtij shërbimi publik për bujqit është RESPEKTIMI I PARIMEVE TE FINANCIMIT EFEKTIV DHE TE QENDRUESHEM. Puna e bërë për zbatimin e këtij projekti na ka bërë të gjithëve më të përgjegjshëm për misionin dhe më të ndërgjegjshëm për përgatitjen e lartë profesionale që kërkon çdo ditë e më shumë ky aksion që kemi ndërmarrë: informimi i fermerëve për ndryshimet që kanë gjeneruar nga delegimi i kompetencabve nga pushteti qendror në atë vendor përsa i përket ofrimit të shërbimit publik të ujitjes dhe kullimit; advokimi i fermerëve për ta marrë këtë shërbim konform ligjit në fuqi dhe ndërgjegjësimi i të zgjedhurve vendorë si edhe administratës vendore për të qenë efektivë dhe të dobishëm për komunitetin e fermerëve. Nga gjithçka kemi konstatuar në terren është imediate dhe madje e vonuar çdo ndërhyrje në këtë fushë. Nuk ka objektiv më të rëndesishëm se sa arritja e mirëmbajtjes së plotë të infrastrukturës së ujitjes, kullimit, digave dhe rezervuarve dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytjet. Kjo do të sigurojë qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e investimeve në infrastrukturë, produktivitetin e bujqësisë së ujitëshme dhe bizneseve të tjera rurale si dhe mbrojtjen e njerëzve dhe pronës.